|

Protestojmë ndaj gllabërimeve të reja të trojeve shqiptare nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia!
Tani, kur diplomacia ndërkombëtare është hedhur në aksion për ta zgjidhur "drejt" çështjen e Kosovës, krejt pavëmendshëm, vërbërisht po sillet "me harresë" për humbjen e territoreve nga sulmet e reja nga okupatorët serbë, malazezë e maqedonas!
Mbase, kjo letër nuk do t’u duhej adresuar dhe ndërkombëtarëve, sikur të mos e dinim se në zotimet dhe në planet e tyre të mos ekzistonte "betimi" i përditshëm se ne do t’i ruajmë kufijtë e Kosovës, ne nuk do të lejojmë të copëtohet as të ndahet nga Kosova!!!
Mbase, këtë e kanë edhe obligim, për faktin që të realizohet zotërimi, pra misioni i tyre që e kanë marrë mbi supe, nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë.
Shikuar nga optika e përditshmërisë, kjo po ngjanë nën hundët e tyre dhe të pushtetarëve shqipfolës, servilëve të tyre të përbetuar!
Prandaj, duke i parë këto rreziqe të reja të copëtimit të Atdheut tonë, Shqipërisë Reale, ne u detyruam t’ju shkruajmë këtë:
LETËR TË HAPUR
Kryeadministratorit të UNMIK-ut, Soren Jessen Peterssen, Kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, Komandantit të KFOR-it në Kosovë, Giuseppe Valotto, Komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Gjeneral lejtant Agim Çekut, Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë administrative (Londineze), Pëllumb Qazimi, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarëve të partive shqiptare në Malin e Zi, Mehmet Bardhi, Ferhat Dinosha e të tjerë… Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama dhe të gjithë faktorëve të tjerë kombëtarë dhe ndër ndërkombëtarë të politikave "demokratike" të cilat nuk i dinë apo i kanë "harruar" këto sulme të reja, por të heshtura , ndaj trojeve tona etnike. Pushtetarët shqiptarë, duke filluar nga Kryetari i Pejës, Ali Lajçi, do të duhej me kohë ta ngritin zërin e protestës, sepse trojet tona andej nga Peja e Haxhi Zekës, nga cepi në cep, tani po okupohen dinakërisht dhe mizorisht! Ne, ia bëjmë me dije opinionit të brendshëm shqiptar dhe atij të jashtëm ndërkombëtar që:
Pjesa veriperëndimore e Kosovës që kufizohet me Malin e Zi, tek vendi i quajtur "Kulla", 6 km, forcat kufitare malazeze, kanë hyrë në vijën vertikale në brendësi të territorit të Kosovës, po ashtu në pjesën tjetër në Kuçishtë të Rugovës së Pejës, nga vendi i quajtur "Bjelluhë", kufiri ka ardhur duke u rrudhur për 3 km në vijën vertikale në brendësi të territorit të Kosovës.
Po ashtu, në pjesën kufitare me Serbinë në rrethin e Dardanës, ish-Kamenicë të Gjilanit, ka tendenca të theksuara për zhvatjen e trojeve shqiptare.
Shumë e rënduar është gjendja edhe andej nga ana e Gollakut dhe e Karadakut, tek katundet në kufi me Serbinë, ku katunde të tëra po braktisen nga pasiguria e qëndrimit përreth kufirit me Serbinë, kur ruajtja e kufirit nga forcat e KFOR-it, është në nivelin e një neglizhence të tejskajshme…
Disa herë me radhë, RTK-ja i ka paraqitur katundarët e asaj ane, të cilët kanë treguar për kalimin e ushtrisë serbe këndej kufirit, pra kanë hyrë drejt Kosovës.
"Ne, do të dëshironim të jetonim në tokat e malet tona, por fakti që kufiri nuk ruhet nga KFOR-i, as nga TMK-ja, ne nuk ndihemi të sigurt të qëndrojmë në këto anë!
Ka pasur mjaft raste kur ushtarët serbë kanë hyrë këndej dhe kanë bërë provokime të rënda, me krisma armësh" etj, etj.
Pastaj, dihet që 35 hektarë tokë të Kosovës i ka pushtuar Maqedonia.
Tani, kjo njohjen e pavarësisë së Kosovës po e kushtëzon: nëse shqiptarët hyjnë në bisedime, për zgjidhjen e demarkacionit të kufirit, para statusit të Kosovës!
Shteti i Maqedonisë ka tendenca të hapura edhe për gllabërimin e trojeve shqiptare, të dhuruara nga qeveria e Beogradit. (!)
Gjithashtu, pjesa veriore e Kosovës me qendër në pjesën veriore të Mitrovicës e cila përfshin 30 km në vijën vertikale plus enklavat e pashpallura serbe që në fakt ekzistojnë (pavarësisht se kjo nuk thuhet në dokumentet e UNMIK-ut) ato tani kontrollohen nga serbët kolonë dhe drejtohet nga Serbia.
E përkthyer kjo në shqip do të thotë: "Shqiptarë, pranoni rrudhjen e Kosovës, pushtimin e saj të përhershëm nga Maqedonia" !
E njëjta gjë tentohet të bëhet edhe në Malin e Zi kur thuhet: "Shqiptarët duhet të marrin pjesë në referendumin për krijimin e republikës së pavarur Mali i Zi": duke bërë këtë shqiptarët do të pajtoheshin me fatkeqësinë historike të pushtimit malazez në trojet shqiptare të Malësisë së Madhe.
Ne mendojmë, shqiptarët, nuk duhet të dalin kurrsesi në këtë referendum, sepse më vonë, kjo do të na kushtojë tepër shtrenjtë!
Ata, duhet të dalin në një referendum që trojet tona të ribashkohen, ato troje që serbo-malazezët i kanë kolonizuar padrejtësisht gjatë viteve 1870-1880 e deri sot, pra nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ne nuk duhet të harrojmë se shqiptarët kanë luftuar nën drejtimin e LSHP-së, një vit për Ulqinin dhe malazezët nuk kanë mundur t’i zmbrapsin pa ndihmën e flotës turke dhe evropiane. Kështu na mëson historia.
Pastaj, ne nuk do të duhej t´i harronim për asnjë çast, faktin e hidhhur që shumë katunde që shtrihen deri tek deri tek Molla e Kuqe, i ka grabitur Serbia, duke shëndrruar tërë popullatën e atjeshme në ardhacakë "muxhahirë", të dëbuar nga vatrat e tyre stërgjyshore.
E dënojmë me indinjatë faktin se politika disfatiste shqiptare, sot, e mbështjellë maskueshëm nën vellon e demokracisë po i harron ato, bile po i rrëshqasin para syve në gojët e ujqërve ballkanikë edhe vise të tjera shqiptare!
Ne, duhet ta kujtojmë se edhe Gjermania kurrë nuk heshti për ribashkimin e trojeve të veta sikur që po bëjnë sot pushtetarët pa shtet të Kosovës dhe më tej...
Kur e kemi parasysh këtu "plagën" e madhe të ekspansionizmit fashist gjerman, çështja jonë ndryshon këtu si nata me ditën, sepse ne shqiptarët asnjëherë se kemi pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të ndonjë vendi fqinj, por janë të tjerët ata që i kanë pushtuar dhe po bëjnë edhe sot përpjekëje pushtimesh të reja!
Ne, nuk duhet të lejojmë për anjë çmim, që edhe më tej të sakatohet Shqipëria jonë!
A e mendojnë pushtetarët servilë shqipfolës se trojet shqiptare nuk janë pronë e tyre private - që mund të bëjnë kompromise!
Ata, me diplomacinë e tërheqjes para rrebesheve të reja, popullin shqiptar nuk po e çojnë drejt paqes, por drejt rreziqeve të reja!
A e marrin ata me mend se rrezikimi serioz i shqiptarëve rreth kufijëve sllavë, ata mund t´i revoltoj dhe të organizohen për vetëmbrojtje!
Pastaj, ku do të mbetej retorika e tyre shterrpe paqësore?!
Mësimin e tillë e kanë vetëm nga dita e djeshme, pra nga politika servilë "paqësore" e I. Rugovës.
Derisa, I. Rugova, predikonte si një prift i mjerë, paqe në Kosovë, malet e Kosovës mbusheshin me luftëtarë te lirisë!
Pra, mund të na përsëritet historia, ne këto rreziqe s´i duam, prandaj reagojmë me kohë, apo më saktë paralajmërojmë me kohë!
Ne, nuk duam kjo të bie në vesh të shurdhër të forcave ploitike brenda dhe jashtë Shqipërisë !
Sonte, derisa po e shiqonim RTK-në, kur po raportonte për veprimtarinë e TMK-së, gjatë këtyre ditëve në mbrojtjen e popullatës dhe të pasurisë nga fatkeqësia e përkohëshme natyrore (vërshimet e këtyre ditëve) kur dolën nga shtretërit e tyre lumenjtë e Kosovës, rrufeshëm na erdhi mendimi: kjo e uruar TMK-ja, pasardhëse e denjë e UÇK-së së lavdishme, sa herë u ballafaqua me rreziqet, por ah sa keq; sërish erdhën kohëra të vështira: tani kur kjo do të duhej që pas luftës t’i mbronte trojet tona etnike, t’i mbronte nga rreziqet shqiptarët që jetojnë në trojet shekullore, kjo e madhërishme flakadane tani duhet të veprojë sipas urdhërave të komandantëve të huaj, të cilët po ndërrohen si kësulat e motit; asaj i duhet të merret me ato punë që janë të huaja për të, me punët që i takojnë mbrojtjes civile...
Ujqërit kolonialistë sllavë po na i grabisin trojet tona, ndërsa TMK-ja, po na "mbron" e po "lufton" me pellgje pusesh që harlisen nga shirat e mëdha!!!
Ne, e themi me bindje të plotë, e themi troç se: TMK-ja, që prej themelimit të saj, pas luftës gjithsesi do të duhej të qëndronte vigjilente përreth kufijëve tanë, ashtu t´i mbronte krenarisht kufijtë tanë të shtrenjtë dhe popullatën e pafajshme shqiptare që po përjeton ripushtime të tmerrshme nga ana e Beogradit, Shkupit, Podgoricës, në sytë indiferentë të ndërkombëtarëve dhe servilëve të tyre shqipfolës!..
Koha tani po e vërteton se kështu, e paska projektuar dhe është duke e siguruar NATO-ja, mbrojtjen e Kosovës apo jo?!!!
Të gjitha këto territore shqiptare, fatkeqësisht janë të okupuara pas hyrjes së forcave të KFOR-it, në Kosovë.
Në, duam që nëpërmjet kësaj letre të hapur të japim ALARMIN e rrezikut të ricopëtimit të Kosovës së plagosur e dalë nga lufta çlirimtare.
Shqipëria administrative, për këtë atak të ri historik, do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm, kudo në instancat e diplomacisë botërore.
Derisa, Shqipëria po interesohet ta ruajë paqen në Ballkan dhe më gjerë deri në Irak dhe Afganistan asaj po i rrënohet paqja e kombit të vet duke ia gërryer kufijtë shtetet armike!
Ajo, në emër të paqes në Ballkan, Evropë dhe në botë, nuk guxon t´i harrojë obligimet e veta që i ka me Kushtetutë për mbrojtjen e kufijëve të Shqipërisë natyrore, sepse këto "prerje cezarike", mesiguri do të këtë pasoja për ardhmërinë e breznive të reja shqiptare.
Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe kur kjo me vise të tjera shqiptare po copëtohet, kjo dhembje me pasoja, kalon edhe nëpër trupin e gjymtuar të shtetit shqiptar...
Prandaj, sa më parë t’i themi NDAL, kësaj fatkeqësie " të re " e cila na gjakosi trupin në shekuj, duke mos harruar ta kërkojmë zgjidhjen përmes ribashkimit nga mbrojtja e planeve shovensite për zgjerim territorial të sllavo-grekëve, shqiptarët mund të vazhdojnë të mbajnë të paprekur identitetin dhe qenien e vet etnike!
Tani, kur jemi në kohën e zgjidhjeve të rëndësishme për fatet e Kosovës, në kohën kur edhe shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, po bëjnë përpjekje të anëtarësohen në BE dhe në strukturat atlantike si në NATO etj, ne shqiptarët dhe miqtë tanë të sinqertë nëpër botë nuk duhet të lejojmë assesi që shtetet ballkanike fqinje të ecin lehtë në drejtim të pavarësimit të tyre (Mali i Zi) dhe integrimeve demokratike (Serbia, Maqedonia) të mbarsura me grabitjen e tokave shqiptare, siç kanë bërë gjatë Mesjetës dhe në kohën e modernizmit "romantik" të Ilija Garashninit dhe prijësve të tjerë të planeve ekspansioniste dhe shoviniste sllave.
Nëse shtetet tona fqinje do të dëshironin të marshonin ngadhënjimtare drejt proceseve të reja demokratike, ato njëherë e përgjithmonë do të duhej të hiqnin dorë nga orekset e tyre shoviniste dhe kolonialiste të cilat i kanë zbatuar në shekuj, ndaj trojeve tona etnike, pa lërë aspak orvatjet e tyre të sërishme për të majmur me "prenë", duke i okupuar sërish dhjetëra e qindra km të viseve shqiptare.
Jemi të bindur se: ardhmëria e popujve nuk do të jetë e ndritur nëse rruga e tyre errësohet nga qarqet reaksionare me ëndrrat e vjetra ekspansioniste, duke u kënduar hymne ditën "demokracisë", ndërsa natën duke u qëndruar besnikë ideve pansllaviste antishqiptare të paraardhësve të tyre.
Ato, duhet njëherë e mirë ta kuptojnë se ëndrrat e krajlëve dhe knjazëve të vjetër janë të perënduara, sepse tani jetojmë në kohë të reja, kur popujt e kanë të qartë ku ishin, ku janë dhe nga do të shkojnë më tej!
Ishin të sakatosur, janë të përçarë dhe duhet t´i pranojnë drejt e pa komplekse (integrimet) ribashkimet brendashqiptare, drejt Shqipërisë së Ribashkuar!
Vetëm ashtu popujt fqinjë të Ballkanit, do të shkonin të lirë dhe të bashkuar drejt asaj që sot po e trumbetojnë si synim të tyre: integrimin në familjen e madhe të popujve drejt gjeografisë euro-atlantike.
|